
Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Pogradec, Oligert Muçllari, në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve për deputet, theksoi besimin e qytetarëve në të kaluarën e qeverisjes demokratike dhe nevojën për rikthimin e saj, duke vënë në dukje shembuj konkretë të emigrantëve që investuan në Shqipëri falë klimës së krijuar nga qeverisja 2005-2013.
Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale të Rilindjes, duke e akuzuar për varfërim dhe largim të sipërmarrjes së ndershme nga vendi.
Fjala e Oligert Muçllari:
I dashur lideri i PD, Profesor Doktor Sali Berisha!
I dashur drejtuesi politik i qarkut tonë, zoti Ivi Kaso!
Të dashur kandidatë dhe kandidate të qarkut tonë! Mirë se keni ardhur në qarkun tonë të mrekullueshëm.
Të dashur demokrate dhe demokratë!
Pyetja më e shpeshtë që na është bërë gjatë gjithë kësaj fushate nga gjithë qytetarët në Korçë e Pogradec, është kjo: Pse duhet t’ju votojmë Ju?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë, sepse PD e ka vërtetuar gjatë qeverisjes së saj që Shqipëria e ka patur një rritje reale ekonomike dhe ka patur fokus të saj qytetarin. Të gjithë i mbajmë mend vitet e qeverisjes demokratike, 2005-2013, e sidomos vitet e arta 2005-2009. Vitet në të cilat çeli besimin se po, në Shqipëri ja vlen të jetohet dhe të ndërtohet e ardhmja.
Shembulli i qartë për këtë ishte kthimi i emigrantëve në atdhe dhe investimi i të ardhurave dhe eksperiencës së tyre në shtetin tonë.
Shembulli më i pastër i kësaj e më i gjallë është shembulli i vëllezërve Agjërim Bardhit dhe Vasil Bardhi. Dy nga bashkëqytetarët tonë, që janë një shembull i gjallë për atë që ndodhi në Shqipërinë e atyre viteve. Ata vendosën që me kursimet e jetës së tyre pas vitesh të gjata në emigracion, t’i investonin në vendin e tyre duke ngritur një biznes të suksesshëm.
Kjo e gjitha nuk ishte rastësi, por ishte si rezultat i shpresës që u krijua nga mirëqeverisja, duke krijuar bindjen qytetare se, po në Shqipëri duhet të investojmë dhe duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë. Fatkeqësisht, kjo periudhë zgjati për një kohë të shkurtër. Dhe ashtu si çdo bashkëqytetar të tjerë, edhe Agjërim Bardhi në vitet e para të Rilindjes u detyrua të mbyllë biznesin dhe të zgjidhnin përsëri emigracionin. Tashmë jo Greqinë, por Gjermaninë.
Rilindja mbylli bizneset dhe varfëroi shqiptarët. Sepse nën qeverisjen e tyre, biznesin nuk mund ta zhvillonin më njerëzit e lirë të kësaj toke.