
Muçi, i vetmi që do të përfaqësojë Lëvizjen Bashkë në parlament, tha se shpresonin që të kishin një përfaqësi më të madhe, por gjithsesi janë mirënjohës për ata që i kanë votuar.
Kandidati fitues i Lëvizjes bashkë, Redi Muçi, në një prononcim për mediat foli për rezultatin, të cilin tha se duhet ta pranojnë. Muçi, i vetmi që do të përfaqësojë Lëvizjen bashkë në parlament, tha se shpresonin që të kishin një përfaqësi më të madhe, por shtoi se gjithsesi janë mirënjohës për ata që i kanë votuar.
“Në radhë të parë jemi mirënjohës të gjithë atyre që na kanë votuar dhe që kanlevizë pasur besim te Lëvizja Bashkë si subjekt. Shpresa jonë ishte që do të hynim në parlament dhe do të përfaqësoheshim me shumë deputetë, por për një parti që garon për herë të parë në shkallë kombëtare dhe ia del mbanë të hyjë në parlament, duhet mirëpritur si rezultat. Jemi të kënaqur për realizimin e këtij.”, u shpreh ai.
Ai tha se sistemi zgjedhor aktual është një marrëveshje mes dy partive të mëdha dhe do të ngrenë zërin për ta ndryshuar.
“Sistemi zgjedhor është një marrëveshje mes dy partive të mëdha dhe ne si e vogël, e vetmja mundësi që kemi është t’i përshtatemi këtij sistemi zgjedhor dhe eventualisht të ngremë zërin për ta ndryshuar por s’kemi në gjë në dorë ne. Ne luajmë sipas rregullave që bëjnë të tjerët. “
I pyetur për faktin se në parlament nuk do të hyjë kryetari i partisë, por kandidati, ai tha se partia Lëvizja bashkë nuk është një “mjet” që duhet të përdoret për të kapur poste. Muçi shtoi se ai do të ketë “barrën” e rëndë për të përfaqësuar zërin e qytetarëve në parlament për 4 vitet e ardhshme.
“Në radhë të parë kemi dashur të japim mesazhin që kryetari nuk është i njëjtë për partinë dhe për më tepër që partia nuk është mjeti për kryetarin për të kapur poste. Lëvizja bashkë ka specifikën e një partie që ndodhet në rrugë, me organizime sociale dhe do ta bëjmë si brenda parlamentit por edhe jashtë. Në thelb zëri ynë do të përçohet në parlament përmes meje si kandidat por do të vazhdojmë të flasim me njerëz në rrugë. Jemi subjekt serioz politik dhe ashtu siç iu ofrojmë publikut një program qeveriës, ashtu premtojmë edhe listën e kandidatëve me të cilët do të përfaqëohemi dhe të gjithë bashkë do të pranojmë këtë rezultat zgjedhor dhe unë ka barrën e rëndë për të përfaqësuar zërin e qytetarëve në parlament për 4 vjeçarin e ardhshëm”, u shpreh Muçi.