Sallahu i kundërpërgjigjet Krasniqit: Janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, duke i quajtur ato “shpifje”.
Reagimi i Sallahut vjen pasi Krasniqi kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për një deklaratë ku ky i fundit aludoi se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli vazhdojnë ta udhëheqin PDK-në nga paraburgimi në Hagë.
Në një postim në Facebook, Sallahu theksoi se Qeveria Kurti ka mbështetur financiarisht mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale.
“Në mandatin tonë janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e personave që mbahen në paraburgim në Hagë! Pra, deklarimet e Memli Krasniqit janë veç shpifje!”, shkroi Sallahu.
Krasniqi kishte akuzuar Kurtin se po vepron si “argat i Prokurorisë” së Specializuar dhe se së bashku me ministren Albulena Haxhiu, “ua kanë zvogëluar edhe fondet e mbrojtjes” të akuzuarve.
Sipas tij, deklaratat e Kurtit janë shenjë e frikës nga mundësia e lirimit të ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Veseli. “Natyrisht që ai nuk është i lumtur për këtë gjë”, tha ndër të tjera Krasniqi.