Moti për Shqipërinë – Reshje shiu dhe erëra të forta, priten përmirësime në orët e pasdites

Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme, duke sjellë mot të vranët dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimeve, reshjet herë pas here do të marrin formën e shtrëngatave, duke ndikuar veçanërisht zonat perëndimore dhe qendrore të vendit.
Megjithatë, në orët e pasdites pritet një përmirësim i kushteve atmosferike, pasi vranësirat do të fillojnë të tërhiqen drejt lindjes së vendit, duke zhvendosur me to edhe reshjet. Pjesa tjetër e territorit pritet të ketë kthjellime të herëpashershme dhe vranësira kalimtare, por pa reshje.
Temperaturat do të pësojnë rritje si në orët e para të ditës ashtu edhe në mesditë. Vlera minimale pritet të regjistrohet në qytetin e Peshkopisë me 7°C, ndërsa maksimalja do të kapë vlerën 28°C në qarkun e Fierit.
Era do të jetë një tjetër element domethënës i motit, me intensitet mesatar deri të fortë, duke arritur shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi verior. Si pasojë, në brigjet detare do të krijohet dallgëzim mbi 3 ballë, duke ndikuar në aktivitetet detare.
Moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndaj qytetarët këshillohen të ndjekin me kujdes njoftimet e shërbimeve meteorologjike.