Moti me reshje dhe vranësira në gjithë rajonin – përmirësim nga e enjtja

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe i zymtë, me reshje të shpeshta lokale shiu. Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme, ndërsa reshje bore do të paraqiten vetëm në viset e larta malore. Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të jenë rreth 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë deri në 10 apo 11 gradë Celsius.
Edhe në Shqipëri parashikohet mot kryesisht i vranët, me reshje të shpeshta shiu gjatë ditës.
Reshje të ngjashme priten nesër në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. Në jug të Malit të Zi, sonte parashikohen rrebeshe intensive shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë. Në zonat e larta malore të rajonit, reshjet pritet të jenë në formë bore.
E marta dhe e mërkura do të karakterizohen nga vranësira dhe reshje lokale shiu, me disa intervale me diell. Edhe pse do të mbetet freskët, parashikohen rritje të lehta të temperaturave. Në Shqipëri pritet mot pak më i ngrohtë dhe me më shumë diell.
Nga e enjtja, sipas ecurive aktuale sinoptike, parashikohet përmirësim gradual i motit dhe rritje e temperaturave në të gjithë rajonin.



