Kosova
Kryesore

Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet për vitin 2026, paralajmërohet krizë e rëndë ekonomike

Pavarësisht njoftimit të Ministrisë së Financave se është duke e përgatitur ligjin për buxhetin e vitit 2026, njohës të çështjeve ligjore dhe ekonomike paralajmërojnë rrezik serioz për vendin për shkak të ngërçit institucional.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se pa një Kuvend funksional, vështirë se mund të kalojë ky buxhet.
“Komunat rrezikojnë seriozisht të mbesin pa buxhet në vitin 2026,” tha ai.

Në të njëjtën linjë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thekson se qeveria aktuale ka kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të miratojë ligje të reja.
“Ju e dini që qeveria ka të drejta të kufizuara për të kryer punë, rregullat janë asisoji që qeveria nuk ka të drejtë të miratojë ligje,” deklaroi Shatri për RTV21.

Sipas afateve ligjore, qeveria duhet ta miratojë ligjin për buxhetin deri më 31 tetor, ndërsa Kuvendi duhet ta votojë atë në dy lexime deri më 31 dhjetor.

Analisti ekonomik Lekë Musa paralajmëron se mungesa e investimeve kapitale dhe mosmiratimi eventual i buxhetit mund ta fusin Kosovën në krizën më të thellë ekonomike që nga paslufta.
“Nëse nuk aprovohet buxheti për vitin 2026, vendi do të funksionojë vetëm me 1/12 e buxhetit të vitit 2025, pa asnjë mundësi për investime,” tha Musa.

Ndërkohë, Shatri shton se edhe për përdorimin e 1/12 së buxhetit të vitit paraprak kërkohet një Kuvend funksional. Ai shprehu dyshime se vonesat po bëhen qëllimisht nga qeveria në detyrë.
“Mua po më forcohet bindja që këta po e duan me qëllim rrënimin e shtetit. Shteti rrënohet ekonomikisht pa buxhet, pra në emër të patriotizmit rrënoje shtetin,” theksoi ai.

Mos krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka shkaktuar jo vetëm ngërç politik, por edhe pasoja të mëdha ekonomike, përfshirë moszbatimin e rreth 900 milionë eurove të planit të rritjes së BE-së për Kosovën, ndërkohë që vendi vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button