Monika Kryemadhi del nga SPAK me thirrje elektorale: “Kërkova votën për koalicionin opozitar”

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pas daljes, ajo zgjodhi të mos komentojë mbi arsyet e thirrjes nga organi i drejtësisë, por u shpreh para gazetarëve se kishte shfrytëzuar rastin për të kërkuar votën e stafit dhe punonjësve të institucionit.
“Iu kërkova votën për koalicionin opozitar. I takova të gjithë. Unë kërkoj votën për babain e fëmijëve të mi. Do ta kërkoj votën deri në fund,” deklaroi Kryemadhi, duke iu referuar bashkëshortit të saj dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili është kandidat në listën e hapur të opozitës për qarkun e Tiranës.
Deklarata e saj ngjalli reagime të menjëhershme në rrjet, për shkak të përzierjes së thirrjeve elektorale me një vizitë në një institucion të pavarur siç është SPAK. Deri tani, nuk ka një reagim zyrtar nga prokuroria lidhur me këtë ngjarje.