Mitrovicë e Veriut: Policia gjen armë dhe municion në podrum ndërtese

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur sërish armë dhe pajisje të tjera të kundërligjshme në një podrum ndërtese afër Sheshit “Car Lazar”.
Sipas komunikatës zyrtare, më 27 shtator 2025, stacioni policor në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), ka vepruar menjëherë pas pranimit të një informate operative.
Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë konfiskuar:
- 1 pushkë automatike
- 1 pushkë gjahu
- 50 fishekë
- 1 palë pranga
- 1 mbajtës pushke
- 1 maskë kundër helmeve me çantën e saj
- 1 këllëf arme
- 5 karikatorë të zbrazët
Për rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armëve”. Deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo informacion lidhur me armë ilegale, narkotikë ose veprimtari të tjera të kundërligjshme përmes numrit 192 ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i domosdoshëm për rritjen e sigurisë.



