Sport

Allegri konfirmon rikthimin e Leaos kundër Napolit: “Kam vështirësi në përzgjedhje, të gjithë janë në formë”

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka bërë të ditur se sulmuesi Rafael Leao do të jetë i gatshëm për sfidën e madhe ndaj Napolit, e cila luhet nesër në Serie A.

Në konferencën për shtyp të së shtunës, Allegri pranoi se përballë kampionëve në fuqi, kuqezinjtë kanë një test të rëndësishëm rritjeje.

“Leao është rikuperuar, por nuk e di saktë autonominë e tij. Ka qenë jashtë për 45 ditë dhe ka bërë vetëm stërvitje individuale,” u shpreh tekniku italian.

Allegri shtoi se përzgjedhja e formacionit nuk është e lehtë:
“Kam disa dilema për nesër. De Winter, Athekame dhe Nkunku bënë mirë të martën. Çdokush duhet të ketë një objektiv: rikthimin e Milanit në Champions sezonin e ardhshëm.”

Në lidhje me mesfushën, Allegri vlerësoi ndikimin e afrimeve të fundit:
“Ishte e rëndësishme ta sillnim Rabiot, një lojtar ndërkombëtar që rriti konkurrencën. Kemi gjashtë mesfushorë shumë të mirë. Përveç Modric, që është unik në futbollin e sotëm, të tjerët janë shumë të besueshëm.”

Sa i përket repartit ofensiv, Allegri theksoi se gara për një vend titullari mbetet e hapur:
“Nkunku po përmirësohet si Pulisic, dhe Gimenez ka filluar të shënojë. Rezultatet arrihen kur edhe ata që futen nga stoli bëjnë diferencën. Të gjithë janë në formë, por nuk mund të fus më shumë se 11 në fushë. Objektivat i arrijmë vetëm së bashku.”

Sfida Napoli–Milan pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të javës në Serie A, me kuqezinjtë që synojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button