Lajme

Misteri në Dhërmi merr fund: 27-vjeçari nga Tirana kthehet në familje pas pesë ditësh zhdukje

Pas pesë ditësh pasigurie dhe mungese informacioni, duket se zhdukja misterioze e një 27-vjeçari nga Tirana në Dhërmi ka marrë një kthesë pozitive. I riu, i identifikuar si A.Z., është rikthyer në banesë pranë familjarëve të tij, pa ndonjë problem shëndetësor apo ligjor.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila njoftoi se më datë 7 gusht është paraqitur në komisariat vëllai i tij, 24-vjeçari K.Z., duke bërë me dije se A.Z. është kthyer në shtëpi. Sipas policisë, materialet shtesë janë referuar për vlerësim të mëtejshëm.

“U referuan materiale shtesë për vlerësim, pasi është kthyer në banesë pranë familjarëve të tij, pa probleme, shtetasi A.Z., 27 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin kishte kallëzuar vëllai i tij se kishte humbur kontaktet prej datës 02.08.2025, në Dhërmi,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Ngjarja e pazakontë ndodhi më 2 gusht, kur 27-vjeçari u zhduk papritur nga një hotel në zonën turistike të Dhërmiut. Denoncimi për humbjen e tij u bë nga vëllai, i cili kishte udhëtuar me të nga Tirana.

Menjëherë pas kallëzimit, policia shpalli në kërkim A.Z.-në dhe nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave. Ende nuk dihen arsyet e largimit të tij, ndërsa motivet mbeten të paqarta.

Autoritetet kanë bërë të ditur se po vazhdojnë verifikimet për të sqaruar detajet e kësaj ngjarjeje që ngjalli interes të madh në opinionin publik, për shkak të misterit që e shoqëroi për disa ditë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button