Lansimi i sistemit të ri të tatimit në pronë, ende jo funksional plotësisht

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lansuar sistemin e ri të tatimit në pronë, i cili zëvendëson sistemin e mëparshëm. Megjithatë, ky sistem aktualisht nuk është funksional në mënyrë të plotë.
Sipas njoftimit zyrtar, për momentin qytetarët kanë mundësi vetëm të shikojnë dhe printojnë faturat e tatimit në pronë, ndonëse edhe kjo mund të shoqërohet me vështirësi teknike gjatë gjenerimit të dokumenteve.
“Çdo veprim ose ndryshim tjetër në fatura nuk mund të bëhet deri në përfundimin e plotë të këtij sistemi të ri. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.
Kujtojmë se ka pasur mospajtime dhe kundërshti të shumta mes komunave dhe Ministrisë së Financave në lidhje me çështjen e administrimit të tatimit në pronë, veçanërisht pas ndërhyrjeve të nivelit qendror në kompetencat e vetëqeverisjes lokale për këtë fushë.