Mirlind Daku: Fitorja ndaj Serbisë, më e madhja në karrierën time – Duam ta mbyllim me sukses kualifikimin

Shqipëria do të luajë shanset e fundit në nëntor për kualifikimin në Botërorin e ardhshëm, ku do të përballet fillimisht me Andorrën në transfertë dhe më pas do të presë në “Air Albania” kombëtaren e Anglisë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kombëtares, Mirlind Daku, u shpreh optimist për ecurinë e kuqezinjve, duke theksuar se ekipi po punon me përkushtim dhe ka besim të plotë për rezultatet e ardhshme.
“Vetë rezultatet tregojnë qartë punën që po bëjmë. Kemi kaluar një periudhë të mirë, me përkushtim dhe sakrifica, dhe kjo po reflektohet në fushë. Shpresoj të vazhdojmë në të njëjtin ritëm edhe në dy ndeshjet e fundit, që ta mbyllim këtë cikël sa më bukur dhe t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë,” – tha Daku.
I pyetur për fitoren e arritur ndaj Serbisë, sulmuesi kuqezi e cilësoi atë si momentin më të veçantë të karrierës së tij.
“Për mua është fitorja më e madhe në karrierën time. Duke marrë parasysh rrethanat dhe historinë, e konsideroj si fitoren më të bukur dhe të veçantë,” – u shpreh ai.
Në fund, Daku foli edhe për ecurinë e Kosovës, duke shprehur mbështetje për “Dardanët” në garën e tyre për një vend në play-off.
“Po, mendoj se Kosova e meriton plotësisht të jetë në garë për play-off. Uroj me gjithë zemër që ta realizojë këtë ëndërr, sepse do të ishte një arritje historike. Do të ishte fantastike që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të ishin në një Kampionat Botëror,” – përfundoi sulmuesi i Kombëtares.



