Kosova

86 persona humbën jetën në aksidente trafiku në Kosovë gjatë periudhës janar-shtator 2025

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, në Kosovë kanë humbur jetën 86 persona në aksidente trafiku. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 47 prej viktimave kanë qenë shoferë.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se nga 75 aksidente me fatalitet të regjistruara në këtë periudhë, 29 prej tyre kanë qenë vetaksidente, që përbëjnë 38.6 për qind të totalit.

“Sipas analizave të deritanishme, nga tetëdhjetegjashtë personat që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën janar-shtator 2025, dyzeteshtatë apo 54.6 për qind kanë qenë shoferë. Nga shtatëdhjetepesë aksidente fatale, njëzetenëntë apo 38.6 për qind kanë qenë vetaksidente”, deklaroi Hoxha.

Ai u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve për kujdes dhe vigjilencë të shtuar gjatë ngasjes, sidomos në kushte atmosferike të vështira si reshje shiu dhe zvogëlim të dukshmërisë.

“Kërkojmë respektim të kufizimeve të shpejtësisë dhe përshtatje të saj me kushtet e rrugës, për të parandaluar aksidentet që shpesh po rezultojnë me pasoja fatale”, shtoi Hoxha.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button