Ministrat vizitojnë urat e reja në veri – punëtorët pa pajisje sigurie, por kjo s’u bën përshtypje

Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot punishten në Mitrovicë ku po ndërtohen dy ura të reja, pjesë e projekteve infrastrukturore në veri të vendit. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, ka publikuar disa fotografi nga terreni, duke theksuar se punimet po zhvillohen sipas planifikimeve.
“Për urat që lidhin qytetin dhe projektet që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, Qeveria mbetet e përkushtuar për përmirësimin e infrastrukturës”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.
Megjithatë, në fotografitë e publikuara nga vetë ministri, vërehen punëtorë të angazhuar në kantier që nuk respektojnë standardet bazë të sigurisë në punë. Disa prej tyre shihen pa helmetë mbrojtëse, pa doreza apo pa veshje të përshtatshme për vendpunishte. Njëri madje duket në mes të kantierit krejtësisht pa uniformë pune.
Përkundër këtyre shkeljeve evidente të rregullave të sigurisë, asnjë reagim nuk u bë nga ministrat gjatë vizitës së tyre. Fokusimi mbeti tek mesazhi politik dhe jo tek kushtet në të cilat po punohet në terren.
Kjo vizitë vjen në kuadër të një sërë angazhimesh të qeverisë aktuale në pjesën veriore të Kosovës, të cilën Sveçla dhe Krasniqi e kanë kthyer në një ndër destinacionet e tyre më të shpeshta gjatë muajve të fundit.