Fundjava me diell dhe temperatura deri në 34°C – Nga e hëna rikthehen reshjet

Vendi ynë do të përjetojë një fundjavë me mot kryesisht të qëndrueshëm dhe me rritje të ndjeshme të temperaturave, para se reshjet të rikthehen sërish në fillim të javës së ardhshme.
Të premten, më 1 gusht, do të mbretërojë mot kryesisht me diell dhe më i ngrohtë. Në orët e pasdites pritet zhvillim i vransirave lokale përreth viseve malore, me pak gjasa për ndonjë rigë të izoluar shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut, me shpejtësi 3 deri në 8 metra në sekondë. Temperaturat minimale do të luhaten nga 12°C deri në 15°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 29°C – 31°C.
Edhe të shtunën parashihet mot kryesisht me diell, ndërsa të dielën, pasdite, pritet shtim i vransirave dhe mundësi për ndonjë rrebesh lokal shiu në disa pjesë të vendit. Temperaturat do të vazhdojnë të rriten, duke arritur në 32°C deri në 34°C në disa zona.
Nga dita e hënë, situata meteorologjike ndryshon. Pritet shtim i vransirave, shoqëruar me rrebeshe lokale shiu dhe bubullima. Reshje të herëpashershme do të vazhdojnë edhe të martën, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme – maksimalet do të zbresin në 22°C – 25°C, e minimalet do të lëvizin ndërmjet 12°C e 16°C.
Gjatë fundjavës do të fryjë erë mesatare nga jugperëndimi me shpejtësi 5 – 11 m/s, ndërsa nga e hëna do të ndryshojë drejtim në verilindore.