Milani “paguajti shtrenjtë” për Walker: 5.7 milionë euro për 6 muaj dhe asnjë kontribut konkret

Milani ka konfirmuar largimin zyrtar të mbrojtësit anglez Kyle Walker, i cili rikthehet te Manchester City pas përfundimit të huazimit gjashtëmujor. Kuqezinjtë zgjodhën të mos aktivizonin opsionin e blerjes për 5 milionë euro, duke e mbyllur kështu një aventurë të shkurtër dhe të kushtueshme.
Walker iu bashkua Milanit në janar për një huazim me kosto 1 milion euro, ndërsa paga e tij neto për këta gjashtë muaj kapte shifrën e 2.5 milionë euro. Duke llogaritur edhe taksat, kjo shumë shkon në rreth 4.6 milionë euro bruto. Në total, sipas “Calcio e Finanza”, Milani ka shpenzuar 5.7 milionë euro për mbrojtësin 35-vjeçar.
Megjithatë, investimi nuk solli rezultatet e pritshme. Walker zhvilloi 16 paraqitje zyrtare, me gjithsej 1,046 minuta të luajtura, por pa asnjë gol apo asist në aktivin e tij.
Milani njoftoi gjithashtu përfundimin e huazimeve të tjera, përfshirë Joao Felix (kthen te Chelsea), Riccardo Sottil (te Fiorentina) dhe Tammy Abraham (te Roma). Ashtu si me Walker, edhe për këta lojtarë nuk u mor asnjë vendim për blerje të përhershme, duke e mbyllur një kapitull me përforcime të përkohshme që nuk bindën.
Ky rast ngrit pyetje mbi strategjinë e merkatos së Milanit dhe efektivitetin e investimeve afatshkurtra në skuadër.