YouTube rrit moshën minimale për transmetimet e drejtpërdrejta në 16 vjeç

YouTube ka njoftuar se, duke nisur nga data 22 korrik 2025, krijuesit e përmbajtjes duhet të jenë të paktën 16 vjeç për të transmetuar drejtpërdrejt pa praninë e një të rrituri. Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga rregulli i mëparshëm, ku vetëm fëmijët nën 13 vjeç kishin nevojë për mbikëqyrje.
Sipas politikës së re, krijuesit e moshës 13 deri në 15 vjeç nuk do të mund të transmetojnë në mënyrë të pavarur. Nëse tentojnë të shkelin këtë rregull pas datës së përcaktuar, funksioni i bisedës së drejtpërdrejtë (live chat) do t’u çaktivizohet, dhe qasja në veçori të tjera do të bllokohet përkohësisht. Transmetimet që nuk respektojnë udhëzimet do të hiqen plotësisht nga platforma.
Megjithatë, YouTube do të lejojë transmetimin për përdoruesit nën 16 vjeç nëse një i rritur lidhet me kanalin e tyre si redaktor, menaxher ose pronar – një procedurë që më parë bëhej vetëm përmes Live Control.
Gjithashtu, në rastet kur të rriturit bashkëkrijojnë përmbajtje me të mitur, ata duhet të jenë të pranishëm fizikisht dhe të përfshirë në mënyrë të qartë dhe të barabartë në transmetim.
Kjo masë synon të rrisë sigurinë për përdoruesit më të rinj të platformës dhe të parandalojë keqpërdorimin e funksionit të transmetimit të drejtpërdrejtë.