Milani dhe Manchester United pranë marrëveshjes për huazimin e Hojlund

Milani ka arritur një marrëveshje bazë me Manchester United për huazimin e sulmuesit danez Rasmus Hojlund, me një tarifë prej rreth 6 milionë eurosh, raportojnë burimet. Palët po diskutojnë edhe për përfshirjen e një opsioni blerjeje në verën e ardhshme, i cili mund të arrijë në 40 milionë euro.
Sipas Calciomercato.com, United do ta pranonte huazimin nëse Milani mbulon të gjithë pagën vjetore të lojtarit, e cila arrin në 4 milionë euro neto. Edhe BBC Sport raporton se mundësia e transferimit përfshin një huazim për 4 milionë euro dhe opsion blerjeje prej 40 milionë eurosh.
Megjithatë, situata është ende në fazë të hershme, pasi Milani nuk ka zhvilluar ende bisedime të drejtpërdrejta as me klubin anglez, as me përfaqësuesit e Hojlund. Kuqezinjtë po përdorin ndërmjetës për të testuar terrenin dhe për të kuptuar qëndrimin e palëve.
Pengesa kryesore mbetet bindja e Hojlund për transferimin, pasi ai duket i vendosur të luftojë për vendin e tij te Manchester United. Mungesa e kualifikimit të Milanit në garat evropiane mund të ndikojë gjithashtu në vendimin e tij, duke e kufizuar pjesëmarrjen vetëm në Serie A dhe Kupën e Italisë.
Nëse bisedimet përparojnë dhe lojtari pranon, transferimi mund të mbyllet brenda afatit kalimtar të verës.