Meta nga qelia: “Më 11 maj do të çlirojmë drejtësinë – në burg kriminelët elektoralë, jo qytetarët e pafajshëm”

Nga qelia ku ndodhet si i vetëquajtur “i burgosur politik”, Ilir Meta ka lëshuar një audio-mesazh të fortë ndaj qeverisë dhe Ministrit të Drejtësisë, duke akuzuar ata për gjendjen alarmante në sistemin penitenciar në Shqipëri. Presidenti i Partisë së Lirisë e cilësoi ministrin si “personazhin famëkeq të Dosjes 184”, i cili sipas tij, duhet të ishte në burg për krime elektorale dhe jo të “mashtronte publikisht në televizion”.
Meta theksoi se mbi 2/3 e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, ndërsa më shumë se 1/3 e tyre nuk kanë asnjë akuzë, duke e quajtur këtë një abuzim të rëndë me drejtësinë dhe një tregues të një “regjimi policor të Edi Ramës”. Ai i referohet situatës si tre herë më problematike sesa mesatarja e Bashkimit Europian, duke përmendur mbipopullimin dhe kushtet çnjerëzore në burgje.
Ai përmendi raste konkrete të qytetarëve që mbahen në paraburgim për më shumë se dy vjet pa u marrë asnjëherë në pyetje, ndërsa citon kritikat e organizatave si Amnesty International, Këshilli i Europës dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës për mungesën e të drejtave dhe trajtimit human.
Në përmbyllje, Meta premton një reformë rrënjësore në drejtësi që do të nisë më 11 maj me “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, ku proceset do të përshpejtohen, paraburgimi nuk do të përdoret si “armë politike”, dhe kriminelët e vërtetë elektoralë do të përballen me drejtësinë.