Mercedes dhe Aston Martin shpallin rikthime urgjente për defekte sigurie

Dy prodhuesit e njohur të veturave luksoze, Mercedes dhe Aston Martin, kanë shpallur rikthime urgjente të modeleve të tyre për shkak të defekteve serioze që rrezikojnë sigurinë e shoferëve.
Mercedes ka njoftuar rikthimin e 3,749 automjeteve të prodhuara mes viteve 2023-2026, përfshirë modelet GLC, GLC Coupé dhe EQE. Shkak është një bulonë e lirshme në sistemin e drejtimit, që mund të çojë në humbje kontrolli mbi timonin dhe të rrisë rrezikun e aksidenteve.
Hetimi filloi pasi një shofer raportoi zhurma gjatë drejtimit, ndërsa kompania e lidhi defektin me një mungesë në procesin e prodhimit. Mercedes bëri të ditur se të gjitha automjetet e prekura do të rregullohen në servise, ku bulonat do të shtrëngohen.
Ndërkohë, Aston Martin ka shpallur rikthimin e 178 makinave Vanquish të vitit 2025. Problemi lidhet me një defekt në pompën e vakumit, që mund të ulë ndihmën e frenave dhe të dobësojë ndjeshëm funksionimin e tyre. Për zgjidhjen e këtij defekti, kompania do të instalojë një përditësim softuerik në servise, pasi ky proces nuk ofrohet përmes përditësimeve “over-the-air”.
Ky është një nga rastet e fundit ku prodhuesit e automjeteve luksoze detyrohen të tërheqin modele nga tregu, duke vënë në pah rëndësinë e kontrolleve rigoroze të cilësisë dhe sigurisë.