Mashtrim doganor me pajisje diellore, humbje mbi 1.5 milion denarë

Inspektorët doganorë të Sektorit për Kontroll dhe Hetuesi kanë zbuluar një rast mashtrimi doganor gjatë importit të pajisjeve diellore, në vlerë prej 1.5 milion denarësh, ka njoftuar Drejtoria e Doganave.
Sipas njoftimit, agjentët-shpeditorë të licencuar, ndonëse kishin në dispozicion fatura ku specifikohej qartë se bëhej fjalë për invertorë për sisteme diellore, i paraqitën ato në doganë si gjeneratorë, duke përfituar nga një normë doganore më e ulët. Në këtë mënyrë, në vend të taksës prej 15%, ata paguan vetëm 10%.
“Parregullsitë u zbuluan pas kontrolleve pasuese dhe verifikimeve të dokumentacionit kontabël dhe komercial, ku u siguruan prova për kryerjen e veprës penale të mashtrimit doganor, e dënueshme sipas Kodit Penal”, thuhet në komunikatën e Doganave.
Nga institucioni shtojnë se vetëm gjatë muajit korrik, pas kontrolleve të origjinës dhe vlerës së mallrave të importuara, janë mbledhur rreth tre milionë denarë nga taksat e shmangura.