Arrestohet në Greqi Ardian Ahmetaj, i shumëkërkuar për vrasjen e tregtarit Besnik Hida në Lushnjë

Policia greke ka arrestuar në qytetin e Piresë 51-vjeçarin Ardian Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si anëtar i grupit kriminal të Laert Haxhiut dhe i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e tregtarit të makinave Besnik Hida në vitin 2019, në qytetin e Lushnjës.
Operacioni është kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe është koduar “Wanted”. Policia e Shtetit konfirmoi arrestimin dhe bëri të ditur se kanë nisur tashmë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Ahmetaj ndodhej në Greqi që prej vitit 2020, ku po vuante një dënim me 11 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Athinës për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese.
Sipas hetimeve, Ardian Ahmetaj akuzohet se më 1 tetor 2019, në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, ka ekzekutuar me armë zjarri Besnik Hidën, teksa ky i fundit ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës. Autorët e maskuar përdorën një automjet të grabitur më herët në Tiranë.
Motivi i dyshuar i vrasjes është hakmarrja. Hida ishte daja i Zamir Latifit, një prej viktimave të “masakrës së Lushnjës” më 11 tetor 2017, ku shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Besnik Hida kishte kërkuar drejtësi për vrasjen e nipit të tij për tre vite, por u ekzekutua edhe vetë.
Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj Ahmetajt masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Kujtojmë se Orges Bilbili, një tjetër pjesëtar i grupit, është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e vitit 2017, së bashku me Anterio Kaloshin. Edhe Laert Haxhiu është arrestuar dhe ekstraduar më herët nga Greqia.