Mbrojtja e Thaçit dhe krerëve të UÇK-së: Gjyqtarët po e kundërshtojnë veten, kërkohet rrëzimi i vendimeve të debatueshme

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar ashpër mënyrën se si janë pranuar disa prova materiale në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre në Hagë.
Në parashtresën që e ka siguruar gazeta Nacionale, avokatët e mbrojtjes pretendojnë se gjyqtarët kanë marrë vendime të ndryshme për të njëjtën çështje ligjore, varësisht se cila palë i ka paraqitur provat, duke krijuar kështu pasiguri dhe konfuzion ligjor.
“Mungesa e konsistencës dhe standardeve të qarta ka prodhuar jo vetëm pasiguri, por edhe kundërshtime të vetvetes brenda vendimeve të Panelit”, thuhet në ankesë.
Mbrojtja kritikon faktin se shumë raporte të ekspertëve janë pranuar pa iu dhënë avokatëve mundësia për t’i kundërshtuar, siç kërkon Rregulla 149, që rregullon mënyrën e pranimit të provave të ekspertëve në këtë proces. Sipas tyre, Prokuroria ka zgjedhur të mos thërrasë disa dëshmitarë ekspertë në sallën e gjyqit, por thjesht të kërkojë pranimin e raporteve të tyre, pa iu nënshtruar procesit të ballafaqimit.
“Hartuesit e Rregullave nuk mund të kenë pasur për qëllim t’ia lënë një Pale ofertuese fuqinë për të kontrolluar zbatimin e Rregullës 149 sipas tekave të saj. Kjo bie ndesh me interesat e drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në parashtresë.
Kritika të ashpra janë drejtuar edhe ndaj mënyrës se si janë trajtuar raportet e patologëve mjeko-ligjorë, të cilët kanë kryer autopsitë dhe kanë dhënë përfundime të natyrës ekspertuese.
“Paneli i ka përshkruar gabimisht këto raporte si dokumente të thjeshta autopsie, duke tentuar të minimizojë statusin e tyre si prova ekspertësh. Por, këta patologë janë profesionistë që kanë zbatuar ekspertizën e tyre dhe raportet e tyre përbëjnë prova të mirëfillta ekspertësh, të cilat duhet të trajtohen sipas Rregullës 149”, thekson më tej ankesa.
Mbrojtja kërkon nga Gjykata e Apelit që të rrëzojë këto vendime dhe të rivlerësojë vlefshmërinë e provave të pranuara, duke siguruar standarde të barabarta ligjore për të gjitha palët në proces.
“Kjo qasje selektive ka krijuar një precedent të rrezikshëm dhe e ka minuar thelbin e drejtësisë që duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, përfundon ankesa.