Kosova

Vazhdon gjykimi për sulmin në Banjskë, sot dëshmon dëshmitari i mbrojtur

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, janë sjellë sot në Pallatin e Drejtësisë nën masa të rrepta sigurie, ku pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj tyre.

Sipas burimeve të Ekonomia Online, në seancën e sotme pritet të dëshmojë një dëshmitar i mbrojtur, pas dëshmive të dhëna më herët nga disa zyrtarë policorë që morën pjesë në kundërsulmin ndaj grupit të armatosur në Banjskë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej 45 të pandehurve për këtë rast, duke i ngarkuar ata me vepra terroriste dhe veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, grupi kishte qëllim të përdorte dhunën dhe armatimin e rëndë për ta shkëputur pjesën veriore të territorit të Kosovës – komunat me shumicë serbe – dhe për t’ia bashkuar ato Serbisë.

Si organizator dhe udhëheqës i këtij grupi është identifikuar Milan Radoiçiq, i cili akuzohet për koordinimin e sulmit dhe përfshirjen në aktivitete kriminale. Ai aktualisht ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Seanca e radhës pritet të hedhë dritë mbi rolet individuale të të akuzuarve dhe rrjetin e organizimit të sulmit të armatosur që tronditi sigurinë në veri të vendit në shtator të vitit të kaluar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button