Kosova

Mbrojtja e Fadil Fazliut njofton për gabim faktik si bazë për përjashtim të përgjegjësisë penale

Mbrojtja e Fadil Fazliut ka njoftuar trupin gjykues se do të paraqesë një njoftim për një gabim faktik, që sipas saj mund të përbëjë bazë për përjashtimin e përgjegjësisë penale të të mbrojturit. Kjo është bërë e ditur në parashtrimin e dorëzuar më 29 gusht 2025 nga avokati i Fazliut, David Young, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbrojtja e Fazliut synon të japë njoftim për një gabim në fakt si bazë që përjashton përgjegjësinë penale. Ne do të zbulojmë prova dokumentare në mbështetje të kësaj. Aktualisht, jemi në proces të përcaktimit të nevojës për dëshmi nga dëshmitarët,” thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

Avokati Young ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, ku klienti i tij akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin, janë duke u zhvilluar aktivisht. Megjithatë, nuk është e mundur të përcaktohet ende koha e nevojshme për përfundimin e aktiviteteve hetimore, pasi çdo afat mund të ndryshojë sipas ecurisë së çështjes.

Sipas aktakuzës, Thaçi, së bashku me grupet e Fazliut, Smakajt dhe Kilajt, kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave. Thaçi akuzohet për tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje, kurse Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 dhe u transferuan në paraburgim në Hagë më 6 dhjetor 2024, ndërsa Thaçit dhe Kuçit u dorëzuan fletarrestime dhe aktakuza sipas procedurave të gjykatës.

Mbrojtja e Fazliut ka bërë të ditur se pret të jetë e gatshme për fillimin e çështjes 30 ditë pas njoftimit të parashtresës paraprake nga të gjitha palët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button