Mandati i katërt i Ramës: Fitorja që forcoi një sistem të kalbur

Tre ditët pas zgjedhjeve parlamentare e lanë vendin në një gjendje të zymtë reflektimi dhe pakënaqësie. Partia Socialiste e Edi Ramës arriti një fitore të thellë me 52% të votave, duke siguruar 83 mandate nga 140 të mundshme – një fitore që, për shumëkënd, më shumë se triumf demokratik, ishte shenjë e rrënjosjes së një regjimi që ushqehet nga kontrolli dhe frika.
Mandati i katërt: Fitorja e korruptuar?
Në vitin 2013, Rama u ngjit në pushtet me premtime për reformim dhe luftë kundër korrupsionit. Sot, 12 vite më vonë, ai drejton një sistem ku media është nën kontroll të rreptë, shoqëria civile është e dobësuar, dhe universitetet janë në krizë. Në kryeqytet, ndërtimi i kullave luksoze – të lidhura me pastrimin e parave nga trafiku i kokainës – është bërë simbol i “suksesit” të kësaj qeverisjeje. Por pyetjet mbeten pa përgjigje: Kush i financon këto ndërtime? Për kë po ndërtohet një qytet që po zbrazet?
Mafia dhe parlamenti
Një nga “mrekullitë” e këtij viti është zgjedhja e 29-vjeçares Sara Mila, kandidate nga lista e hapur e PS-së, e mbështetur sipas burimeve nga grupet e trafikut të drogës në Elbasan. Ajo mori mbi 18 mijë vota dhe doli e dyta në nivel kombëtar. Zgjedhja e saj shihet si sinjal i depërtimit të mafies në politikë, duke anashkaluar edhe vetë strukturat tradicionale të partisë.
Patronazhistët dhe vota si monedhë
Rama ka ndërtuar një rrjet të dendur patronazhistësh që gjurmojnë elektoratin, regjistrojnë bindjet politike dhe ofrojnë “shpërblime” për votën – që nga legalizimi i shtëpive e deri te punësimet në administratë. Legalizimi, që në teori është e drejtë ligjore, në praktikë është kthyer në mjet shantazhi elektoral. “Në këmbim të një vote, merr legalizimin”, thuhet në shumë rrëfime nga qytetarët.
Diaspora dhe iluzioni i ndikimit
Për herë të parë, diaspora shqiptare pati të drejtën të votonte nga jashtë, por kjo nuk solli ndryshimin e shumëpritur. Me propagandën që mbizotëron përmes mediave si Top Channel dhe kontaktet direkte nga PS-ja, edhe vota nga jashtë u kanalizua drejt Ramës. “Ata nuk jetojnë këtu, nuk e ndiejnë çdo ditë realitetin tonë”, shprehen qytetarët.
Demokracia në krizë
Pjesëmarrja në votime ishte vetëm 42%. Shumë qytetarë nuk panë alternativë të besueshme përballë një sistemi që të bind me forcë ose të blen me ofertë. Partitë e reja si Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë arritën mbi 123 mijë vota, por sistemi proporcional i përkthyen në vetëm tre mandate – një pengesë e madhe për ndryshimin politik.
Kur BE uron dhe Shqipëria mbytet
Ndërkohë që qytetarët ndihen të ngulfatur nga padrejtësitë dhe pasiguria, liderët europianë urojnë Ramën për “fitore” dhe e ftojnë në tryeza për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Shfaqja televizive vazhdon: kryeministri buzëqesh, shampanja hapet, dhe propaganda shpaloset.
Një sistem i ndërtuar për të mos u rrëzuar
Rama ka krijuar një regjim të qëndrueshëm, jo përmes përmbajtjes politike apo vizionit, por përmes kontrollit total. Ai shpërblen, kërcënon, korrupton dhe më së shumti, e njeh mirë psikologjinë e votuesit shqiptar: dëshirën për siguri dhe neverinë ndaj pasigurisë.