Mali i Zi i dorëzon notë proteste Kosovës pas të shtënave pranë kufirit

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar Ambasadës së Kosovës në Podgoricë një notë proteste, pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet se kanë ardhur nga territori i Kosovës në drejtim të qendrës malazeze të skijimit Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.
Në reagimin e këtij institucioni, thuhet se nga autoritetet kompetente të Kosovës është kërkuar identifikimi dhe procedimi i autorëve të incidenteve, si dhe njoftimi i Malit të Zi për masat që do të ndërmerren.
Nga dikasteri i drejtuar nga Ervin Ibrahimoviq theksohet se bëhet fjalë për incidente të izoluara. Sipas raportimeve, deri tani janë regjistruar dy raste të tilla. I pari ndodhi në korrik të vitit të kaluar, kur u dëmtua kabina e qendrës së skijimit, ndërsa i dyti më 24 gusht të këtij viti, kur pati të shtëna në drejtim të një objekti të kësaj qendre. Për rastet është angazhuar Prokuroria e Rozhajës.
Në njoftim theksohet se për incidentet ishte informuar edhe ambasadorja e Kosovës më 22 shtator.
“Besojmë se rastet e izoluara nuk e reflektojnë përkushtimin e qartë të dy shteteve tona për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në reagim.
Po ashtu, palës kosovare i është tërhequr vëmendja për zbatimin e tri marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve – për kufirin shtetëror, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kotlovi–Kuqishtë dhe rregullimin e qarkullimit kufitar.
Ndërkohë, zyrtari i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të tilla në kufirin me Malin e Zi, duke shtuar se policia është e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Përgjigje për këtë çështje pritet edhe nga drejtoria qendrore e Policisë së Kosovës dhe Qeveria.
Kosova dhe Mali i Zi në vitin 2015 nënshkruan marrëveshjen për demarkacionin e kufirit, e cila u ratifikua menjëherë nga Podgorica, ndërsa në Kuvendin e Kosovës tre vjet më vonë.



