Macron: Propozimi amerikan për armëpushim në Ukrainë duhet të respektohet, përgjigja negative e Rusisë është shqetësuese

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, foli për luftën në Ukrainë dhe përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes. Macron theksoi se propozimi për armëpushim është një nismë amerikane dhe duhet të respektohet, ndërsa reagimi i Rusisë deri tani nuk ka qenë pozitiv.
Ai shpjegoi se gjatë vizitës së tij në Kiev, së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe liderin britanik Keir Starmer, telefonuan ish-presidentin amerikan Donald Trump për të përcjellë mbështetjen e tyre për armëpushim me garanci sigurie në Ukrainë dhe për të vendosur presion mbi Rusinë.
“Propozimi për armëpushim, takimi dhe garancitë janë iniciativa amerikane, të rëndësishme dhe nuk mund të kenë një përgjigje negative nga Rusia,” tha Macron, duke shtuar se ai është i bindur se Trump do të reagojë për të ruajtur besueshmërinë e Amerikës.
Macron theksoi gjithashtu se SHBA-ja ka ardhur me një ambicie të fortë për paqe dhe kjo duhet respektuar nga të gjithë. “Ne kemi bërë punë intensive për një paqe të qëndrueshme dhe kjo është miratuar edhe nga presidenti i Ukrainës. Tani po presim përgjigjen e Rusisë,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, Rusia ka propozuar një takim në Stamboll, por deri tani nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me armëpushimin. Macron përfundoi se Franca dhe aleatët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të mbështetur Ukrainën në rezistencën e saj dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme.