Bota

Macron nis vizitë historike në Britani: Fokus në Ukrainën, mbrojtjen dhe migracionin

Presidenti francez Emmanuel Macron do të nisë të martën një vizitë shtetërore tre-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, me synimin për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të thelluar bashkëpunimin me Mbretin Charles III dhe kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer.

Sipas France24, kjo vizitë e rëndësishme do të përfshijë një fjalim të Macron në parlamentin britanik dhe disa takime të nivelit të lartë, ku temat kryesore pritet të jenë lufta në Ukrainë, mbrojtja dhe frenimi i migracionit të parregullt përmes Kanalit të La Manshit.

Kjo është vizita e parë shtetërore nga një lider i Bashkimit Evropian në Mbretërinë e Bashkuar që prej daljes së saj nga BE në vitin 2020, dhe gjithashtu vizita e parë nga një president francez që prej vizitës së Nicolas Sarkozy në vitin 2008.

Presidenti Macron pritet të forcojë marrëdhëniet me Mbretin Charles III, i cili historikisht ka treguar një afërsi të veçantë me Francën, duke i quajtur marrëdhëniet mes dy vendeve “të pazëvendësueshme”.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mori detyrën në vitin 2024, ka premtuar një “rivendosje të lidhjeve” me kryeqytetet evropiane pas tensioneve të periudhës post-Brexit. Zyra e tij e ka cilësuar këtë vizitë si “historike”, duke theksuar rëndësinë e saj në pasqyrimin e “gjërësisë së marrëdhënies ekzistuese” mes dy vendeve.

Në fokus të takimeve do të jenë përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm, forcimi i sigurisë dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, si dhe nxitja e tregtisë dhe investimeve reciproke.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button