Llapi dhe Drenica me fitore të mëdha, Drita dhe Prishtina ndalen në Superligë

Në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll, Llapi dhe Drenica kanë regjistruar fitore të mëdha, duke ndalur dy prej skuadrave më në formë të kampionatit.
Në Podujevë, Llapi triumfoi ndaj Prishtinës me rezultat 2:1. Llapjanët, nën drejtimin e Tahir Batatinës, e nisën ndeshjen fuqishëm dhe kaluan në epërsi me golin e Edon Sadriut në pjesën e parë, ndërsa Axel Gnapi vulosi fitoren në pjesën e dytë. Goli i Leotrim Kryeziut për prishtinasit rezultoi i pamjaftueshëm për të shmangur humbjen.
Ndërkohë, Drenica arriti një fitore mbresëlënëse me përmbysje ndaj kampiones aktuale, Dritës, me rezultat 3:1. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por kuqezinjtë shpërthyen në fraksionin e dytë me dopietën e Ronald Chacon dhe golin e Kreshnik Ukës. Goli i vetëm për gjilanasit u shënua nga Albert Dabiqaj.
Në ndeshjet tjera, Ferizaj mposhti Prishtinën e Re me rezultat të pastër 3:0, me golat e Sadriut, Berishës dhe Selmanit.
Ndërsa një ditë më parë, skuadrat mysafire dominuan: Ballkani fitoi bindshëm në udhëtim ndaj Malishevës me rezultat 5:0, kurse Dukagjini triumfoi ndaj Gjilanit me rezultat 2:0.
Superliga po hyn në një fazë gjithnjë e më të nxehtë, ku çdo javë po sjell surpriza të reja dhe lëvizje në tabelë.



