Procedohet penalisht tregtari 43-vjeçar, tentoi të kontrabandonte veshje drejt Kosovës

Policia Kufitare e Morinës ka goditur një rast të kontrabandës me mallra, duke proceduar penalisht një 43-vjeçar nga Kukësi.
Gjatë kontrolleve të shtuara në brezin e gjelbërt, pas informacioneve operative për veprimtari të paligjshme, shërbimet policore kanë ndaluar në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub, një automjet që po lëvizte drejt kufirit me Kosovën.
Në automjetin e drejtuar nga shtetasi V. D., 43 vjeç, banues në Kukës, u gjetën disa thasë me veshje të ndryshme që ai po tentonte t’i kontrabandonte në territorin e Kosovës.
Policia sekuestroi automjetin dhe mallrat në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ku nisi procedimi penal ndaj 43-vjeçarit për veprat penale “Transporti i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse shtetasi i përfshirë ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë veprimtari të paligjshme.



