
Ndërkombëtarët urojnë Ramën për fitoren e zgjedhjeve. Macron, me mesazh në shqip, i referohet si mik ndërsa përsërit mbështetjen për rrugën evropiane të Shqipërisë. Meloni dhe Starmer theksojnë se do të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy vendeve. Urime vijnë edhe nga liderë të tjerë evropianë dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas fitores së jashtëzakonshme në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka marrë një sërë mesazhesh mbështetëse nga liderë të rëndësishëm botërorë. Presidenti francez Emmanuel Macron e uroi në mënyrën e veçantë, me një mesazh në gjuhën shqipe, teksa shkroi “urime mik i dashur”.
Macron shprehu mbështetjen e palëkundur të Francës për Shqipërinë në rrugën drejt BE. Mesazhi mbështetës vjen në një kohë kur presidenti francez pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, jo thjesht në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian më 16 maj në Tiranë.
“Urime mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e tij në shqip.
Nuk mungoi urimi edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyn, e cila vlerëson edhe progresin që Shqipëria ka bërë nën drejtimin e tij në rrugën drejt integrimit europian.
“Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan ajo.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, që ishte edhe e para ndër liderët që reaguan, theksoi rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve dhe vlerësoi bashkëpunimin strategjik me Shqipërinë. Ajo u zotua për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në funksion të stabilitetit në Ballkan dhe integrimit europian të Shqipërisë.
“Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik që lidh dy kombet tona është forcuar më tej falë nismave të përbashkëta, rezultat i dialogut konstruktiv dhe një dëshire të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave globale me zgjidhje inovative. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar më tej lidhjen midis dy qeverive tona dhe për të arritur objektiva të përbashkëta, duke përfshirë forcimin e stabilitetit në Ballkan dhe avancimin e rrugës evropiane të Shqipërisë”, shkroi Meloni.
Kryeministri britanik Keir Starmer e përshëndeti fitoren si “historike” dhe shprehu vullnetin për të çuar përpara bashkëpunimin mes dy vendeve, duke u fokusuar te rezultatet konkrete për qytetarët.
“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për njerëzit që punojnë në të dy vendet tona”, uron kryeministri britanik.
Nga Lindja e Mesme, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, shprehu urimet e tij të sinqerta për Ramën, duke nënvizuar rritjen e fortë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm në të mirë të popujve përkatës.
“Lidhjet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit dhe jam i bindur se së bashku mund të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të promovojmë zhvillimin e mëtejshëm në të mirë të kombeve dhe popujve tanë.”, thuhet në reagimin e presidentit të Emirateve.
Edhe kryeministri spanjoll Pedro Senchez shprehu urime për fitoren bindëse të Ramës dhe e cilësoi mbështetjen e qytetarëve shqiptarë si dëshmi të qartë të përkushtimit për integrimin europian. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përgëzoi gjithashtu kryeministrin Rama për rezultatin dhe vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës në kohë lufte, ndërsa e konsideroi Tiranën si një “shtëpi të dytë”.
“E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar. Mezi pres të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet miqësore mes vendeve tona, për të mirën e të dy kombeve tona.”, shkruan Zelensky.
Urime erdhën edhe nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili shprehu dëshirën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, si dhe nga kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili e cilësoi samitin e ardhshëm në Tiranë si një mundësi historike për Europën.
“Urime Kryeministrit @ediramaal për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik i EPC-së.”, shkruan Orban.
Mesazhet e liderëve evropianë vijnë në një kohë kur të premten e 16 majit, të gjithë do të ‘zbresin’ në Tiranë, ku do të marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Kjo shihet edhe si një përgjigje për Sali Berishën nga gjithë liderët e BE, i cili një ditë më parë nuk njihu zgjedhjet dhe tha se kanë qenë të diktuara nga krimi.