Lezhë, skandal ndërtimesh në “Ranë të Hedhun”: 9 zyrtarë e inxhinierë nën hetim, sekuestrohen 4 objekte të legalizuara në kundërshtim me ligjin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka sekuestruar mbi katër objekte ndërtimi të ngritura pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën turistike “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Në kuadër të hetimeve disa mujore për procedimin penal nr.135/2025, janë vendosur masa sigurimi ndaj nëntë personave, mes tyre ish-zyrtarë të ASHK dhe IKMT-së Lezhë, si dhe inxhinierë ndërtimi.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar se ndërtimet janë kryer në një zonë të rëndësisë kombëtare, e përcaktuar si e tillë me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit në dhjetor 2020.
Masat e sigurisë të kërkuara nga Prokuroria:
G.M., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë – arrest në burg për “shpërdorim detyre”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;
A.Sh., ish-përgjegjës i legalizimeve në ASHK Lezhë – arrest në burg për të njëjtën vepër;
A.M., përgjegjës i legalizimeve në ASHK Lezhë – arrest në burg;
P.T. – arrest në burg për “ndërtim të paligjshëm” dhe “falsifikim vulash dhe formularësh”;
L.B., inxhinier konstruksioni – arrest në shtëpi për “falsifikim dokumentesh”;
H.Xh., inxhinier ndërtimi – arrest në shtëpi për “falsifikim dokumentesh”;
F.Gj., ish-drejtor i IKMT Lezhë – ndalim i daljes jashtë shtetit për “shpërdorim detyre”;
K.M., ish-drejtor i IKMT Lezhë – ndalim i daljes jashtë shtetit;
M.N., ndihmës specialist policie në Shëngjin – pezullim nga detyra publike dhe ndalim i daljes jashtë shtetit për “shpërdorim detyre”.
Vendimi i Gjykatës
Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, por ka ndryshuar masat për tre prej të dyshuarve kryesorë – G.M., A.Sh. dhe A.M., të cilët do të qëndrojnë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, është vendosur masa e sekuestros preventive mbi katër objektet e ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në mënyrë të paligjshme në zonën “Rana e Hedhun”.
Prokuroria e Lezhës njofton se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e kundërligjshëm dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë ndërtimore e administrative.



