Letrat për Von der Leyen/ Bajaziti: Thirrje për ndërgjegjësim të BE-së ndaj shkeljes së demokracisë në Shqipëri…
Erisa Bajaziti, kandidate për deputete nga Partia Demokratike, ka shpjeguar arsyet e dërgimit të dy letrave të hapura drejt Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Bajazitit zbuloi përmbajtjen e këtyre dy letrave të hapura që ishin bërë në periudha të ndryshme, ndërsa ishin një thirrje për ndërgjegjësim të institucioneve evropiane në lidhje me gjendjen kritike të demokracisë dhe shkeljen e të drejtave në Shqipëri.

Ajo theksoi se përgjigjja e marrë në janar të vitit 2025 ishte një moment që tregon se Bashkimi Europian po e ndiqte me kujdes situatën politike në Shqipëri dhe nuk ishte thjesht një spektator.
Bajaziti theksoi se letra e dytë ishte shkruar në tetor 2024 dhe se ky reagim erdhi për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë dhe integritetit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Erisa Bajaziti: Letra që ne i dërguar zonjës Ursula von der Leyen, ishte një letër e hapur e cila menduam se ishte në një moment kritik për vendin. Kjo thirrje e hapur erdhi si një thirrje për ndërgjegjësim nga institucionet më të larta evropiane në raport me atë çfarë ishte duke ndodhur në Shqipëri. Pamë që kjo thirrje rezoni me zërin e qytetarëve shqiptarë. Një thirrje që herën e parë nuk mori një përgjigje.
Ndoshta ngjarjet që ndodhnin ishin shumë të shpeshta në Shqipëri dhe dua të besoj që thjesht institucionet kanë marrë kohë për të na kthyer ne një përgjigje. Sepse në letrën e dytë dërguar zonjës Von der Leyen, ne e morëm një përgjigje, dhe kjo ishte për në një arsye për të menduar se BE nuk ishte thjesht një spektator por po e ndiqte hap pas hapi çfarë ndodhte.
Letra e dytë është shkruar në tetor të vitit 2024 dhe përgjigjja ka ndodhur në janar të vitit 2025. Nuk e kemi bërtitur këtë përgjigje të marrë por mendoj që sot është momenti i duhur për ta prezantuar me forcën dhe zërin e dy qytetarëve që guxojnë të shkruajnë një letër. Për të kërkuar atë çfarë është duke ndodhur në vendin tonë. Pse? Ishte parehatia që na shkaktonte situata në Shqipëri. Ishte demokracia që ne ndjekim që ishte shkelur me të dyja këmbët në vendin tonë. Dhe vizioni që Shqipëria ka në raport me bashkimin Europian, duket se përdhosje e këtij vizioni në raport të ngushtë me interesat politikë. Kështu që mendoj se ishte momenti i duhur për të reaguar dhe ne nuk heshtëm.