Kosova

Leje nga KFOR: FSK nis kërkimin në Ujman për 33-vjeçarin

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka dhënë autorizimin që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të zbarkojë në veri të vendit për të kryer operacione kërkim-shpëtimi, në përpjekje për të lokalizuar trupin e një 33-vjeçari që u hodh të dielën në liqenin e Ujmanit.

Në njoftimin zyrtar, KFOR thekson se ky autorizim është dhënë për arsye humanitare dhe në përputhje të plotë me prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të misionit. “Ky veprim synon të maksimizojë përpjekjet për të lokalizuar dhe shpëtuar 33-vjeçarin që dyshohet të jetë mbytur disa ditë më parë,” thuhet në komunikatë.

KFOR-i ka sqaruar se do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit të kërkimit, ndërsa ka përcaktuar kërkesa dhe paralajmërime specifike që duhen respektuar gjatë zhvillimit të këtij misioni.

Po ashtu, në njoftim theksohet se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së bie brenda mandatit të saj fillestar, i cili përfshin ndihmën për komunitetet lokale në raste fatkeqësish natyrore.

Operacioni është në vazhdim dhe trupat e KFOR-it do të mbikëqyrin të gjithë procesin për të garantuar sigurinë në terren.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button