Gjermania e shqetësuar për krizën politike në Kosovë: Rrezikohet progresi euroatlantik

Gjermania ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën politike në Kosovë, duke e cilësuar bllokimin institucional si rrezik të drejtpërdrejtë për progresin dhe besueshmërinë që vendi ka ndërtuar me vite.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson se mungesa e një Kuvendi funksional po vonon aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe po dërgon sinjale të gabuara te partnerët ndërkombëtarë.
“Ky bllokim pengon Kosovën të ndërmarrë hapat e ardhshëm drejt integrimit në NATO dhe BE, duke dëmtuar imazhin e saj ndërkombëtar”, deklaroi Christian Bottcher, zëvendësshef i misionit gjerman në Kosovë.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë të marrin përgjegjësi të plotë për tejkalimin e krizës:
“Në javët e ardhshme, udhëheqësit duhet të bien dakord për konstituimin e Kuvendit – duke filluar me zgjedhjen e Kryetarit dhe Zëvendëskryetarëve – dhe të ofrojnë lidership të qëndrueshëm, të bazuar në Kushtetutë. Qytetarët e Kosovës meritojnë zyrtarë që veprojnë me vendosmëri dhe në interesin e tyre, jo që të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për zgjidhje të krizës politike.”
Bottcher theksoi gjithashtu rolin e mundshëm të presidentes Vjosa Osmani në deeskalim dhe ndërmjetësim ndërpartiak:
“Besojmë se Presidentja e Kosovës mund të luajë një rol kyç në thirrjen e dialogut ndërpartiak dhe në udhëzimin e palëve drejt kompromisit. Një lidership presidencial i balancuar do të ndihmonte në rivendosjen e besimit dhe ritmit demokratik.”
Gjermania, përmes ambasadës së saj, ka rikonfirmuar mbështetjen për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e ardhshme në përmbushjen e objektivave euroatlantike.
Nga 27 korriku deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezullimi që ndalon deputetët e betuar të ndërmarrin hapa drejt konstituimit të Kuvendit, për shkak të dështimit për formimin e legjislaturës së nëntë brenda afatit kushtetues. Deri tani janë mbajtur 54 seanca, por asnjë nuk ka prodhuar rezultat.