LDK dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Supremes për rastin e arkave fiskale

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Udhëzimi i kontestuar, që lidhet me përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve përkatës, ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill 2025 – një ditë pasi Murati kishte fituar mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, një qeveri në dorëheqje nuk ka kompetenca për të miratuar akte nënligjore normative të reja, përveç nëse ato janë të përfshira në Planin vjetor të punës apo në ligjin vjetor të buxhetit.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet në vendimin e Supremes.
LDK ka kërkuar që ky rast të hetohet nga organet kompetente, duke vënë në pah se veprimet e ministrit Murati përbëjnë tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të një qeverie në dorëheqje.