Kosova
Operacion policor në tri komuna, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një operacion të gjerë policor në tri komuna të vendit: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili bëri të ditur se operacioni po realizohet me autorizim të Prokurorisë kompetente.
“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Kelani.
Ai shtoi se pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve operative, në koordinim me organet e drejtësisë, do të mund të bëhen publike edhe informacione shtesë lidhur me rastin.
Detaje të tjera pritet të zbulohen në vijim, pas përfundimit të hetimeve dhe procedurave të parapara ligjore.