Kosova

LDK dorëzon lëndë në Kushtetuese – Bajrami: Do të vazhdojmë fjalimet edhe pas mbylljes së seancës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dorëzimit të lëndës nga partia e saj në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se LDK-ja do të vazhdojë të marrë pjesë në seanca dhe do të kërkojë nga kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, që të kthehet në rendin e ditës dhe të respektojë të drejtën e deputetëve për të votuar.

“Natyrisht do të marrim pjesë në seanca, sepse në secilën prej tyre po kërkojmë nga kryesuesi që të kthehet në rendin e ditës dhe të na mundësohet e drejta e votimit”, u shpreh Bajrami.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, LDK do të vazhdojë të mbajë fjalimet edhe pas përfundimit zyrtar të seancave.

“Në qoftë se kjo nuk na mundësohet, ne prapë do të veprojmë ashtu siç vepruam dje. Në shenjë proteste, pasi që kryesuesi ta mbyllë seancën, ne do të vazhdojmë me fjalimin”, deklaroi ajo.

LDK-ja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretim të normave kushtetuese që lidhen me funksionimin dhe procedurat në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale që ka bllokuar punën e legjislativit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button