Kosova
Kryesore

LBK kundër ZRrE-së dhe Qeverisë: Kërkohet pezullimi urgjent i daljes së detyruar në tregun e lirë të energjisë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Qeverisë në detyrë dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke i cilësuar si kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik të vendit.

Në një komunikatë për media, LBK ka theksuar se mungesa e kontrollit parlamentar dhe mosrespektimi i kuadrit të përgjegjësisë institucionale po e ekspozojnë ekonominë e Kosovës ndaj rrezikut të destabilizimit afatgjatë. Sipas tyre, mbështetja e pakushtëzuar ndaj vendimeve të ZRrE-së, të cilat kanë imponuar kalimin e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe institucionale.

LBK ka përmendur tri arsye kryesore pse ky vendim është i papranueshëm:

Vendimet gjyqësore të formës së prerë që vërtetojnë shkeljen e ligjit nga ZRrE.

Dëmtimi i interesit strategjik ekonomik të Kosovës.

Faktet e dokumentuara për pasoja të rënda mbi sektorin prodhues, punësimin dhe qëndrueshmërinë financiare të bizneseve.

“ZRrE nuk ka as mandat ligjor e as autoritet institucional për të shpërfillur vendimet e gjykatave apo për të vepruar në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e LBK-së.

Lidhja e Bizneseve paralajmëron se vendimet e fundit ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat e ndërmarrjeve private, mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, si dhe sigurinë e investimeve dhe stabilitetin e sistemit bankar. Ato, sipas LBK-së, duhet të mbështeten në ligj dhe transparencë – jo në vendimmarrje të njëanshme dhe të mbyllur.

LBK thekson se kalimi në tregun e lirë është i mundur vetëm kur ka kushte të plota për konkurrencë të drejtë dhe zhvillim ekonomik. Në të kundërtën, kjo politikë energjetike shkakton “rritje disproporcionale të kostove të operimit, falimentime të heshtura dhe tkurrje të kapaciteteve prodhuese”.

Në përmbyllje, LBK paralajmëron se nëse kjo qasje vazhdon, shumë ndërmarrje vendore rrezikojnë falimentimin. Ata kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të vendimit për daljen në tregun e lirë, respektimin e vendimeve të gjykatave dhe nisjen e një dialogu të hapur ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button