Policia sekuestron pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së djeshme në fshatin Qabër të komunës së Zubin Potokut, ku ka zbuluar dhe sekuestruar pajisje që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.
Sipas njoftimit zyrtar, në një objekt përcjellës të një shtëpie, njësitë policore kanë gjetur 13 pllaka kompjuterike (të njohura si “riga”) dhe pajisje të tjera përcjellëse që përdoren për prodhimin e kriptovalutave. Të gjitha këto janë sekuestruar si dëshmi materiale.
Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Dogana e Kosovës, e cila pritet të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo aktivitet të paligjshëm përmes numrit pa pagesë 192, duke kontribuar kështu në sigurinë dhe rendin publik në vend.