
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur alarmin për një krizë të paprecedentë që, sipas saj, po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit. Në një komunikatë për media, LBK ka theksuar se mungesa e institucioneve funksionale dhe mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare po shkaktojnë humbje të mëdha financiare për Kosovën.
Sipas të dhënave të siguruara nga LBK, nga fillimi i vitit 2024 deri në gjysmën e parë të vitit 2025, Kosova ka humbur rreth 600 milionë euro për shkak të pamundësisë për të përfituar fonde ndërkombëtare në sektorë kyç si mjedisi, energjia dhe kultura.
“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përfitojnë mbështetje financiare të avancuar nga Bashkimi Evropian, Kosova rrezikon të mbetet prapa, duke humbur mbi 60 milionë euro parafinancim nga paketa e BE-së prej 880 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes”, thuhet në njoftim.
Sipas LBK-së, këto fonde janë thelbësore për investime strategjike në infrastrukturë, energji, digjitalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, ngërçi institucional në vend ka bllokuar jo vetëm fondet nga BE-ja, por edhe:
90 milionë euro nga Banka Botërore, të cilat mbeten të ngrira për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit,
Dobësimin e besimit të bizneseve,
Ngadalësimin e investimeve të huaja,
Mospërmbushjen e projekteve buxhetore.
LBK paralajmëron se Kosova po humb mbi 1.2 milionë euro në ditë si pasojë e kësaj krize – një barrë e rëndë për një ekonomi që mbetet e brishtë dhe në zhvillim.
“Çdo ditë pa institucione funksionale është një ditë më shumë drejt regresit ekonomik, izolimit ndërkombëtar dhe humbjes së mundësive historike për zhvillim”, përfundon njoftimi i LBK-së.
Organizata u bën thirrje të gjitha subjekteve politike në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur krizën institucionale, e cila po dëmton rëndë interesin e shtetit dhe të qytetarëve.