Bota

Lavrov: Takimi Putin–Zelenski, ende i largët; Trump paralajmëron sanksione ndaj Moskës

Një takim i shpejtë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenski mbetet jorealist, ka deklaruar Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Në një intervistë për televizionin amerikan NBC, Lavrov tha se kushtet për një samit dypalësh nuk janë përmbushur. “Putin është gati të takohet me Zelenskin pasi të përgatitet një axhendë për samitin, dhe kjo axhendë është larg të qenit e plotë”, u shpreh ai, duke theksuar se çështjet që kërkojnë zgjidhje përfshijnë lëshimet territoriale nga Ukraina dhe heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili më herët kishte bërë thirrje për një takim të tillë për t’i dhënë fund luftës, ka shuar pritshmëritë për një përballje direkte mes dy liderëve. Nga Shtëpia e Bardhë, ai paralajmëroi se brenda dy javësh do të marrë një vendim të rëndësishëm mbi përpjekjet e tij për paqe në Ukrainë.

Trump tha se opsionet mbeten të hapura: sanksione masive kundër Moskës ose “nuk do të bëjë asgjë”. “Do të shohim nëse Putini dhe Zelenski do të punojnë së bashku. E dini, është pak si vaji dhe uthulla – ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye që dihen”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Kjo vjen në një kohë kur Moska është shprehur e paqartë për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë, ndërsa Kievi vijon të kundërshtojë çdo kompromis që cenon sovranitetin e tij territorial.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button