Laç – Lezhë: Tre shtetas në kërkim për vepra të ndryshme penale, përfshirë manovra të rrezikshme, kanosje dhe përndjekje

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim tre shtetas, pas përfshirjes së tyre në ngjarje të ndryshme me karakter penal në qytetet Laç, Shëngjin dhe Lezhë.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Laçit, shtetasi A. P., 27 vjeç, banues në Laç, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet dhe ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë për të ndaluar, duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Ai është shpallur në kërkim, ndërkohë që vijojnë përpjekjet për arrestimin e tij dhe gjetjen e automjetit të përdorur.
Ndërkohë, në Shëngjin, ka nisur procedimi penal për shtetasin E. D., 26 vjeç, i cili dyshohet se ka kanosur një shtetas për motive të dobëta. Materialet për këtë rast janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Po ashtu, në Lezhë, është shpallur në kërkim shtetasi F. F., 32 vjeç, pas kallëzimit të një 33-vjeçareje, e cila pretendon se është përndjekur nga ai. Policia është vënë në kërkim të tij, ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore.
Policia vijon punën për kapjen e këtyre shtetasve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rasteve.