Kosova

Kuvendi i Kosovës shpenzoi mbi 8.5 milionë euro në vitin 2024, mbi 3.9 milionë euro vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2025

Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar gjithsej 8.540.232 euro gjatë vitit 2024, një shumë pothuajse e barabartë me atë të vitit 2023, ku u raportuan 8.148.433 euro shpenzime. Të dhënat janë siguruar nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, pasi raportet financiare ende nuk janë miratuar e publikuar zyrtarisht.

Përkundër faktit që gjatë vitit 2025 Kuvendi ka qenë i bllokuar për gjashtë muaj si pasojë e fushatës zgjedhore dhe krizës institucionale, shpenzimet për këtë periudhë kanë arritur në 3.905.025 euro.

Paga, udhëtime dhe dreka zyrtare

Për pagat e 120 deputetëve janë shpenzuar 1.631.903 euro.

Totali i shpenzimeve për deputetët, duke përfshirë udhëtime, telefoninë dhe mëditjet, ka arritur në 1.685.407 euro.

Udhëtime jashtë vendit dhe akomodim: rreth 15.000 euro

Shpenzime telefonie: mbi 7.500 euro

Dreka zyrtare: 25.798 euro

Pasaporta diplomatike dhe delegacione: rreth 2.500 euro

Administrata dhe mirëmbajtja

Administrata e Kuvendit ka kushtuar 1.557.630 euro, prej të cilave mbi 1 milion euro janë shpenzuar për paga.

Mirëmbajtja e ndërtesave, automjeteve, energjia elektrike, ngrohja dhe shërbime të tjera kanë kaluar vlerën e 117.000 eurove.

Shpenzime të tjera përfshijnë:

209.580 euro për blerjen e 6 veturave

13.908 euro për karburante

12.947 euro për pajisje IT

9.922 euro për furnizime për zyre

1.215 euro për ushqim dhe pije

Stafi politik dhe Komisioneri i FSK-së

Shpenzimet për stafin politik mbështetës kanë arritur në 649.387 euro, ndërsa Komisioneri parlamentar i FSK-së është paguar 12.599 euro vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit.

Vendime gjyqësore

Në vitet 2023 dhe 2024, Kuvendi ka paguar gjithsej 167.677 euro për vendime gjyqësore, ku vetëm gjatë vitit 2023 janë shpenzuar 159.632 euro për shtatë raste të tilla.

Kriza politike dhe vendimi i Kushtetueses

Pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së tetë më 22 mars 2025, Kuvendi nuk ka arritur të funksionalizohet për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Megjithëse më 26 gusht 2025, Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit, Gjykata Kushtetuese më 5 shtator vendosi masë të përkohshme, duke konstatuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb.

Kjo masë mbetet në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke i pamundësuar Kuvendit ndërmarrjen e çdo veprimi për formimin e Qeverisë së re.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button