Kuvendi dështon për herë të 47-të të konstituohet – rrezikohet afati kushtetues i 26 korrikut

Kriza institucionale në Kosovë po thellohet, pasi Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, për herë të 47-të me radhë, duke mbetur peng i një bllokade politike që zgjat prej muajit prill.
Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor 2025, që obligon përfundimin e konstituimit brenda 30 ditëve, Kuvendi vazhdon të jetë jofunksional. Me vetëm 11 ditë të mbetura deri më 26 korrik – kur përfundon afati kushtetues – situata mbetet e pandryshuar dhe shqetësuese.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka deklaruar për FrontOnline se nuk është e mundur të shpallen zgjedhje të reja pa u konstituuar fillimisht Kuvendi.
“Në zgjedhje nuk shkojmë, sepse duhet të kemi Kuvend për të shkuar në zgjedhje – ne ende nuk kemi’’, tha Hasani.
Ai la të kuptohet se, megjithëse ka pak kohë në dispozicion, teorikisht ekziston mundësia për një marrëveshje politike që do ta zhbllokonte situatën, por gjasat janë të vogla.
“Për marrëveshje ka mundësi të ndodhë ndonjë para afatit ligjor të Kushtetueses. Po me atë që po shohim, duket që nuk është e paarritshme’’, shtoi ai.
Mosfunksionimi i Kuvendit e vendos Kosovën përballë një krize të thellë kushtetuese dhe politike, ndërsa sytë tashmë janë të drejtuar drejt partive politike për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje para përfundimit të afatit.