Kosova

Kushtet e rënda në miniera: Sindikata ngre alarmin për rrezikimin e shëndetit dhe largimin e punëtorëve

Puna në minierë mbetet një nga profesionet më sfiduese dhe më të rrezikshme në vend, ku minatorët përballen çdo ditë me kushte të vështira pune, mungesë sigurie teknike dhe paga të ulëta që nuk përkojnë me rreziqet që marrin përsipër.

Sindikata e Minatorëve ka ngritur alarmin për situatën gjithnjë e më shqetësuese në këtë sektor jetik, duke theksuar mungesën e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht të mikroklimës brenda minierave, e cila sipas tyre po rrezikon seriozisht shëndetin e punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, në një prononcim për Front Online tha se temperatura të larta dhe mungesa e pajisjeve mbrojtëse janë kthyer në sfidë të përditshme për punëtorët.

“Sfidat më të mëdha të minatorëve janë kushtet bazike, sidomos mikroklima në minierë. Temperaturat e larta dhe mungesa e investimeve në ndërmarrje po krijojnë vështirësi për shëndetin e minatorëve,” deklaroi Januzi.

Ai shtoi se përveç kushteve të rënda të punës, edhe pagesat e vonuara po rëndojnë më tej gjendjen e tyre ekonomike.

“Ka sfida në realizimin e pagave për shkak të çështjeve përmbarimore dhe borxheve të akumuluara ndër vite. Muajt e fundit kemi arritur t’i realizojmë pagat me shumë vështirësi,” u shpreh ai.

Pagat e ulëta mbeten një tjetër problematikë madhore, veçanërisht në raport me rritjen e çmimeve dhe inflacionin në vend.

“Një pagë e minatorit ka mbetur shumë e ulët në krahasim me lëvizjet e çmimeve të tregut. Duke marrë parasysh edhe borxhet e ndërmarrjes, kemi mbetur në një udhëkryq dhe nuk dimë si të veprojmë,” tha kryesindikalisti.

Si pasojë e kësaj gjendjeje, shumë punëtorë po e braktisin vendin në kërkim të kushteve më të mira jetese dhe pune jashtë shtetit.

“Mosqëndrueshmëria financiare po ndikon negativisht tek vendimet e minatorëve. Gjithnjë e më shumë punëtorë po emigrojnë jashtë vendit,” përfundoi Januzi.

Sindikata kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për të shmangur kolapsin në këtë sektor dhe për të siguruar kushte dinjitoze për një nga kategoritë më të ekspozuara të punëtorëve në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button