Kosova

Vendime të kundërta gjyqësore për pezullimin e hapjes së tregut të energjisë për bizneset e mëdha

Vendime të ndryshme gjyqësore lidhur me hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha kanë vënë në pah përplasjet institucionale dhe qasjet e ndryshme ndaj kërkesës për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ndërsa Gjykata Komerciale ka aprovuar disa kërkesa për masë sigurie në raste individuale të bizneseve, duke pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit të ZRRE-së, Gjykata Themelore – Departamenti për Çështje Administrative – i ka refuzuar kërkesat kolektive të parashtruara nga Oda Ekonomike e Kosovës, Shoqata e Prodhuesve dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

ZRRE mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, duke theksuar se aktvendimet në raste individuale nuk krijojnë precedent dhe nuk kanë efekt të përgjithshëm për të gjithë procesin. Sipas Rregullatorit, çdo masë sigurie shqyrtohet në bazë të kërkesës së veçantë dhe rrethanave të rastit përkatës.

“Këto aktvendime nuk krijojnë precedent për të gjithë procesin dhe nuk kanë efekt të përgjithshëm. Çdo vendim për masë të sigurisë ka efekt vetëm për palët përkatëse në procedurë”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

Ndërkohë, bizneset nuk po ndalen. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, ka konfirmuar se pavarësisht refuzimit të kërkesës për pezullim në emër të bizneseve, paditë individuale janë duke vazhduar në Gjykatën Komerciale dhe disa prej tyre janë aprovuar me pezullim të vendimit.

“Ne do të vazhdojmë me Gjykatën e Apelit dhe tutje. Qëllimi ynë ka qenë një vendim për të gjithë procesin, por paralelisht jemi duke dorëzuar padi individuale dhe çdo ditë po marrim përgjigje pozitive për pezullim”, tha Ajvazi.

Ai theksoi se padia kolektive iu drejtua Gjykatës Themelore për shkak të natyrës ligjore të përfaqësimit në emër të bizneseve, ndërsa paditë individuale janë drejtuar në Gjykatën Komerciale.

Nga 1 qershori, rreth 1300 biznese që punësojnë mbi 50 punëtorë ose kanë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë futur në tregun e hapur të energjisë elektrike, pavarësisht kërkesave të përsëritura për shtyrje të procesit për një vit. Kjo ka nxitur reagime dhe protesta nga komuniteti i biznesit, i cili e konsideron procesin të papërgatitur dhe të dëmshëm për operimin e tyre.

Beteja ligjore duket se do të vazhdojë në të gjitha nivelet gjyqësore, ndërsa bizneset kërkojnë të ndalojnë përkohësisht efektet e vendimit të ZRRE-së, përmes padive individuale që po trajtohen rast pas rasti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button