Kosova

Kurti në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, takon diasporën shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet nesër në Londër.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Londër, Kurti do të zhvillojë edhe disa takime bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në ngjarjet që organizohen në kuadër të samitit.

Në prag të samitit, Kurti është takuar me pjesëtarë të diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët i ka cilësuar si përfaqësues të denjë të Kosovës jashtë vendit.

“Sa herë e takoj diasporën tonë, bashkëbisedimin e kemi të hapur e produktiv, ku vërehet lehtësisht se fizikisht janë larg atdheut, por me mendje dhe zemër qëndrojnë pranë nesh. Mërgimtarët tanë na përfaqësojnë denjësisht anekënd botës,” ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se me mërgimtarët diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për rolin e diasporës në forcimin e këtyre lidhjeve.

Kurti shtoi se gjatë takimit ka folur edhe për zhvillimet e brendshme në Kosovë, duke i informuar të pranishmit për “arritjet dhe sukseset” e qeverisë së tij, si dhe për “objektivat e mandatit të ardhshëm”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button