Kosova

Ministria e Financave sqaron: Pensionistët mbi 80 vjeç e me probleme shëndetësore nuk kanë nevojë të paraqiten fizikisht – ekipi mobil shkon në shtëpi

Ditëve të fundit janë shtuar kritikat lidhur me faktin që pensionistët po detyrohen të paraqiten çdo muaj në zyrat e pensioneve për t’u lajmëruar, pavarësisht moshës së shtyrë apo gjendjes shëndetësore.

Lidhur me këtë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar sot duke sqaruar se tashmë ekzistojnë ekipet mobile, të cilat vizitojnë në shtëpi pensionistët që nuk mund të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve për arsye shëndetësore ose për shkak të moshës së thyer.

Sipas njoftimit të Ministrisë, projekti për lajmërimin në shtëpi të pensionistëve është lansuar që nga gushti i vitit 2023, me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe shmangies së vështirësive për këtë kategori.

“Pensionistët me probleme shëndetësore, si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare, mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimit,” – thuhet në njoftim.

Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti ose një anëtar i familjes, duke dhënë të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e kërkesës. Ministria ka bërë të ditur se ekipet mobile punojnë shtatë ditë në javë, për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen me kohë dhe në mënyrë të rregullt.

Për secilin rajon janë publikuar adresat elektronike dhe numrat kontaktues ku mund të dërgohen kërkesat:

Prishtinë: [email protected]
| ☎️ 038 213 268

Pejë: [email protected]
| ☎️ 039 431 217

Gjakovë: [email protected]
| ☎️ 039 326 999

Gjilan: [email protected]
| ☎️ 028 324 555

Ferizaj: [email protected]
| ☎️ 0290 320 403

Mitrovicë: [email protected]
| ☎️ 028 533 010

Në fund, Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar që pensionistët të mos përballen me vështirësi gjatë procesit të lajmërimit dhe se synimi është që shërbimet të jenë sa më afër qytetarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button